Trafiku në Tiranë, KLSH: Mbi gjysma e kamerave jashtë funksionit, investimet mbeten larg planit
Auditimi i KLSH-së zbulon se 56.3 për qind e kamerave të trafikut në Tiranë nuk funksiononin dhe investimet mbetën të ulëta.

Sistemi i menaxhimit të trafikut në Tiranë ka pasur probleme serioze funksionimi edhe përpara dëmtimeve të semaforëve dhe kamerave gjatë protestave të fundit. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) tregon se më shumë se gjysma e kamerave të monitorimit nuk transmetonin pamje, një pjesë e semaforëve nuk ishin të integruar në sistemin qendror, ndërsa investimet për përmirësimin e transportit dhe qarkullimit rrugor kanë mbetur ndjeshëm larg objektivave të planifikuara.
Auditimi i KLSH-së, që shqyrton periudhën 2023–2025, evidenton gjithashtu mangësi në transportin publik, vonesa në projektet infrastrukturore dhe probleme në monitorimin e shërbimeve urbane. Sipas audituesve, masat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe nuk kanë arritur të sigurojnë përmirësimet e synuara në lëvizshmërinë urbane.
40 nga 71 kamerat e trafikut nuk transmetonin pamje
Nga 71 kamera të instaluara për monitorimin e trafikut në kryeqytet, 40 prej tyre, ose 56.3 për qind, nuk transmetonin pamje gjatë verifikimit të kryer nga KLSH më 1 korrik 2026. Ky konstatim është bërë përpara dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestave të fundit, duke treguar se problemet në sistemin e monitorimit të qarkullimit ekzistonin prej kohësh.
Sipas raportit, për 11 kamera ndërprerja e transmetimit kishte zgjatur nga dy deri në shtatë vjet, ndërsa 14 kamera të tjera kishin qenë jashtë funksionit për periudha nga një deri në shtatë muaj. Sistemi i kamerave ishte plotësuar përmes një kontrate të vitit 2021, me vlerë rreth 59.9 milionë lekë.
Auditimi konstatoi gjithashtu se platforma qendrore për shfaqjen e njëkohshme të pamjeve nga kamerat nuk funksiononte. Për këtë arsye, operatorët detyroheshin t'i monitoronin kamerat individualisht në kompjuter, ndërsa 10 semaforë nuk ishin integruar në sistemin qendror të menaxhimit të trafikut.
Jashtë funksionit rezultuan edhe gjashtë pajisjet elektronike të vendosura për informimin e drejtuesve të automjeteve. Sipas KLSH-së, këto mangësi kufizojnë kapacitetin e Qendrës së Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut për të monitoruar dhe administruar qarkullimin rrugor në kryeqytet. Audituesit konstatuan gjithashtu se Bashkia e Tiranës nuk kishte hartuar dhe miratuar një Plan Urban të Trafikut si dokument të veçantë.
Investimet në transport, tre vite larg objektivave të planifikuara
Shpenzimet e programit të transportit publik në Bashkinë e Tiranës u rritën nga 325 milionë lekë në vitin 2023 në 1.53 miliardë lekë në vitin 2025. Megjithatë, pjesa më e madhe e fondeve është përdorur për subvencione dhe rimbursime, përfshirë abonetë e studentëve dhe pensionistëve, ndërsa investimet kanë mbetur në nivele shumë të ulëta realizimi.
Sipas raportit të KLSH-së, investimet përbënin 13 për qind të shpenzimeve të programit në vitin 2023 dhe 30 për qind në vitin 2024, por realizimi i tyre ishte zero në të dyja vitet. Në vitin 2025, investimet zinin vetëm 4 për qind të shpenzimeve të programit dhe u realizuan në masën rreth 2 për qind.
KLSH ka analizuar veçmas edhe projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në lëvizshmërinë urbane, përfshirë korsitë e dedikuara për autobusët, infrastrukturën për biçikletat dhe sistemet e menaxhimit të trafikut. Për këto projekte, niveli i realizimit të investimeve ishte 26 për qind në vitin 2023, 22 për qind në vitin 2024 dhe 50 për qind në vitin 2025.
Megjithëse përqindja e realizimit u përmirësua gjatë vitit 2025, fondet faktike të investuara rezultuan më të ulëta se në vitin 2023. Raporti konstaton se gjatë tre viteve të marra së bashku nuk është arritur të realizohet as niveli i investimeve të planifikuara për një vit të vetëm, atë të vitit 2023.
Kontrolli i Lartë i Shtetit paralajmëron se struktura e shpenzimeve, e orientuar kryesisht drejt subvencioneve, e kombinuar me realizimin e ulët të investimeve, krijon rrezik që fondet publike të mos sjellin përmirësimet e pritshme në qarkullimin rrugor dhe në cilësinë e shërbimit të transportit publik.
Vetëm 29 për qind e qytetarëve të kënaqur me transportin publik
Problemet e transportit publik në Tiranë pasqyrohen edhe në nivelin e kënaqësisë së qytetarëve. Sipas studimit të Komisionit Europian “Cilësia e jetës në qytetet europiane 2023”, të cituar nga KLSH, vetëm 29 për qind e banorëve të Tiranës shprehen të kënaqur me transportin publik.
Rreth 22 për qind e banorëve përdorin transportin publik gjatë një dite tipike, tregues që e rendit Tiranën në vendin e 82-të nga 83 qytetet e përfshira në studim. Ndërkohë, mbi 55 për qind e banorëve përdorin makinën si mjetin kryesor të lëvizjes, duke treguar varësinë e lartë nga transporti individual.
Auditimi ka identifikuar mangësi në menaxhimin e linjave urbane, gjendjen teknike të autobusëve dhe vlerësimin e performancës së operatorëve që ofrojnë shërbimin e transportit publik. Probleme janë konstatuar edhe në administrimin e ankesave të qytetarëve.
Sipas KLSH-së, portali Urbani funksiononte pa procedura të brendshme të miratuara, ndërsa për një pjesë të ankesave mungonte dokumentimi i mënyrës së trajtimit të tyre. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës nuk kishte realizuar anketat periodike të planifikuara për vlerësimin e cilësisë së transportit publik gjatë periudhës së auditimit.
KLSH kërkon forcimin e monitorimit dhe përshpejtimin e reformave
Në përfundim të auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se masat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës gjatë periudhës 2023–2025 nuk kanë arritur të sigurojnë një shërbim transporti publik efikas, të besueshëm dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.
Raporti evidenton nevojën për forcimin e mekanizmave të monitorimit, përmirësimin e funksionimit të sistemeve teknologjike të menaxhimit të trafikut dhe përshpejtimin e zbatimit të investimeve dhe reformave të planifikuara.
Gjetjet e auditimit tregojnë se problemet e qarkullimit rrugor në kryeqytet nuk lidhen vetëm me dëmtimet e fundit të infrastrukturës, por edhe me mangësi të mëparshme në mirëmbajtjen e pajisjeve, realizimin e investimeve dhe administrimin e transportit publik.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)